Një grup ekstremist rus, i njohur si “Male State”, dyshohet se mund të jetë i përfshirë në një seri alarmesh të rreme për bomba që kanë shkaktuar shqetësim në transportin ajror europian.
Më shumë se 27 fluturime janë prekur nga këto kërcënime gjatë datave 3, 5 dhe 6 nëntor.
Dyshimet janë ngritur pas qarkullimit të një emaili, i cili mban firmën “Luftëtarët e Male State” dhe ku pretendohet përgjegjësia për kërcënimet. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për përfshirjen e grupit në këto incidente.
Sipas raportimeve të BBC dhe Reuters, persona të lidhur me organizatën, përfshirë edhe themeluesin e saj, Vladislav Pozdnyakov, kanë mohuar çdo përfshirje. Ata kanë deklaruar se grupi nuk ekziston më.
“Male State” u themelua nga Pozdnyakov në vitin 2016 dhe u shpall i jashtëligjshëm në Rusi në vitin 2021. Organizata ishte e njohur për ideologjinë e ekstremit të djathtë, qëndrimet raciste dhe retorikën kundër grave dhe komunitetit LGBT.
Ndërkohë, autoritetet europiane po hetojnë mundësinë që kërcënimet të jenë pjesë e një fushate të koordinuar, e cila mund të shtrihet edhe përtej transportit ajror.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka shprehur shqetësimin për zhvillimet, duke paralajmëruar se objektiva të mundshëm të incidenteve të ngjashme mund të bëhen edhe infrastruktura hekurudhore, spitalet dhe sektorë të tjerë jetikë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur autorësinë e kërcënimeve dhe për të përcaktuar nëse pas tyre qëndron një organizim i përbashkët.
