Europa po përballet me vështirësi serioze në furnizimin me karburant për avionët, pas rënies drastike të importeve nga Lindja e Mesme për shkak të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit.
Paralajmërimi është bërë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), e cila në raportin e saj mujor thekson se importet e karburantit ajror nga Lindja e Mesme drejt Europës ranë nga 330 mijë fuçi në ditë në mars, në vetëm 60 mijë fuçi në ditë gjatë prillit. Sipas raportit, lufta me Iranin dhe bllokimi praktik i Ngushticës së Hormuzit kanë kufizuar ndjeshëm rrjedhën e furnizimeve nga Gjiri Persik.
IEA vlerëson se Europa duhet të zëvendësojë të paktën 80% deri në 90% të sasive të humbura për të shmangur mungesat gjatë sezonit veror. Megjithatë, importet neto europiane të karburantit për avionë në prill arritën vetëm në 70% të niveleve të marsit.
Europa ka shtuar importet nga Shtetet e Bashkuara dhe Nigeria, por jo aq sa për të kompensuar humbjet nga Lindja e Mesme. Sipas të dhënave, këto furnizime arritën në 221 mijë fuçi në ditë gjatë prillit.
“Rezervat europiane po bien me shpejtësi, ndërsa furnizimet nga Lindja e Mesme mbeten kryesisht jashtë funksionit”, thuhet në raport.
Agjencia paralajmëron se pa një zgjidhje të shpejtë të situatës në Ngushticën e Hormuzit, tregut do t’i duhet kohë për t’u stabilizuar.
