Një stjuardesë e një linje ajrore është shtruar në spital në Holandë për infeksion nga Hantavirusi. Stjuradesa u sëmur pas kontaktit me një grua, e cila vdiq nga virusi vdekjeprurës në fund të prillit.
Gruaja 69-vjeçare kishte qenë pasagjere në anijen turistike “MV Hondius”, e cila u nis nga Ushuaia, Argjentinë, më 1 prill. Vetëm pak ditë pas nisjes së udhëtimit me anije, bashkëshorti i gruas u sëmur rëndë dhe vdiq në bord të anijes. Anija turistike vazhdoi udhëtimin e saj përpara se të ankorohej në Territorin e largët Britanik Jashtë Shtetit të Shën Helenës më 24 prill, ku trupi i burrit u nxor në breg. Gruaja shoqëroi trupin e burrit të saj dhe më pas hipi në një fluturim po atë ditë për në Johanesburg.
Pasi mbërriti në Johanesburg, gruaja hipi në fluturimin për në Amsterdam Schiphol, i cili duhej të nisej nga Afrika e Jugut në orën 23:15 të 24 prillit. Megjithatë, në këtë pikë, gruaja vuante nga simptoma gastrointestinale dhe gjendja e saj tashmë po përkeqësohej. Gruaja hipi në avionin e mbushur plot me njerëz, por asistentët e fluturimit ia refuzuan udhëtimin për shka të gjendjes shëndetësore.
Gruaja mbeti në Johanesburg dhe të nesërmen në mëngjes u dërgua me urgjencë në spital, ku ndërroi jetë. Megjithatë, do të duheshin nëntë ditë që testet PCR të konfirmonin se gruaja vdiq nga Hantavirusi, dhe edhe më shumë kohë që lloji të konfirmohej si Andes, i vetmi Hantavirus i njohur që ka potencialin të përhapet nga kontakti njeri me njeri. Sipas transmetuesit lokal RTL, asistentja e fluturimit kishte qenë në kontakt me gruan në avion dhe që atëherë ka zhvilluar simptoma të lehta.
