Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar se është në dijeni të një videoje të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, e cila përmban kërcënime të drejtpërdrejta ndaj jetës së Barron Trump, djalit më të vogël të presidentit amerikan Donald Trump.

Videoja, rreth tre minuta e gjatë, nis me një grafik në anglisht ku shkruhet: “Where to kill Barron Trump?!” dhe më pas paraqet disa prej vendeve ku 20-vjeçari raportohet se kalon kohë, përfshirë Trump Tower në New York.

Në përfundim të videos, narratori sugjeron se persona të ndryshëm “po presin me padurim të marrin shpërblimin prej 10 milionë dollarësh”.

Sipas një burimi federal, materiali është pjesë e një fushate kërcënimesh që synon familjen Trump, ku përfshihen edhe detaje rreth lëvizjeve të tyre dhe sugjerime për vrasje.

Shërbimi Sekret ka deklaruar se çdo kërcënim ndaj personave nën mbrojtjen e tij merret seriozisht dhe hetohet, por nuk ka dhënë detaje mbi masat e sigurisë për shkak të natyrës operative.

Kërcënimet vijnë në një periudhë tensionesh të forta mes SHBA-së dhe Iranit. Presidenti Donald Trump ka folur më herët publikisht për kërcënimet ndaj tij nga Teherani, duke i cilësuar autorët si “njerëz të ligj e të sëmurë”.

SHBA-ja ka paralajmëruar prej kohësh për mundësinë e një tentative iraniane për eliminimin e Trump, veçanërisht pas vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimani në një sulm amerikan me dron në vitin 2020.

Ndërkohë, gjatë ceremonive të varrimit të ish-udhëheqësit suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei, mbështetës të regjimit iranian u shfaqën me postera me mesazhe kërcënuese ndaj presidentit amerikan dhe u raportua edhe për shpërblime për hakmarrje.

Videoja e fundit shënon një përshkallëzim të pazakontë, pasi Barron Trump është përmendur publikisht për herë të parë si objektiv i drejtpërdrejtë në këto kërcënime.