Autoritetet shëndetësore në Spanjë kanë konfirmuar një rast të ri me hantavirus te një shtetas spanjoll, i cili ishte evakuuar nga anija turistike MV Hondius dhe aktualisht ndodhet në izolim në një spital në Madrid.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pacienti është një nga 14 shtetasit spanjollë që ndodheshin në bordin e anijes dhe që janë vendosur në karantinë në Spitalin Qendror të Mbrojtjes “Gómez Ulla” që prej 10 majit.

Autoritetet bëjnë me dije se rasti i ri është identifikuar si kontakt i afërt gjatë monitorimit epidemiologjik të aktivizuar pas zbulimit fillestar të shpërthimit të infeksionit në anije.

Pas konfirmimit, pacienti është transferuar në Njësinë e Izolimit të Nivelit të Lartë në spitalin e Madridit, ku po merr trajtim të specializuar nën masa të rrepta biosigurie.

Me këtë rast të fundit, numri i personave të infektuar me hantavirus nga pasagjerët dhe ekuipazhi i MV Hondius ka shkuar në dy.

Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se situata është nën kontroll dhe se rasti është identifikuar brenda sistemit të izolimit ekzistues, duke shtuar se nuk ka ndryshim në nivelin e rrezikut për popullatën e gjerë dhe as në masat aktuale të menaxhimit epidemiologjik.