Gjashtë punonjës në Aeroportin e Frankfurtit, Gjermani, janë prekur nga malaria, njëri prej të cilëve ka vdekur. Rastet u konfirmuan nga operatori i aeroportit Fraport dhe Instituti Robert Koch, raportojnë mediat e huaja.
Katër raste ishin raportuar në mesin e korrikut, por numri i përgjithshëm është rritur që atëherë në gjashtë. Pesë punonjësit e tjerë të prekur nga sëmundja po i nënshtrohen trajtimit specifik mjekësor. Sipas raporteve fillestare, infeksionet lidhen me të ashtuquajturën “Malaria e Aeroportit”, një mënyrë e rrallë transmetimi jashtë zonave ku sëmundja është e pranishme.
Një ose më shumë mushkonja të infektuara mund të kenë mbërritur në aeroport në mesin e verës, të jenë transportuar në hambarin e një aeroplani ose në bagazhe nga një zonë rreziku dhe më pas, të kenë pickuar dhe infektuar punonjësit e aeroportit. Instituti Robert Koch raportoi raste të tjera midis korrikut dhe gushtit në zonën metropolitane të Rhine-Main, të cilat ka të ngjarë të lidhen me punën në Aeroportin e Frankfurtit.
