Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, deklaroi se shteti i tij “mbështet plotësisht” ushtrinë ruse, duke e cilësuar këtë si një “detyrim vëllazëror”. Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin theksoi se të dy shtetet gëzojnë marrëdhënie “speciale”. Lajmi u raportua më 4 shtator nga agjencia shtetërore e lajmeve të Phenianit, KCNA.

Kim dhe Putin u takuan të mërkurën në margjinat e festimeve të mbajtura në Kinë për përvjetorin e dorëzimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore. Dy udhëheqësit morën pjesë, së bashku me presidentin kinez Xi Jinping, në një paradë gjigante ushtarake – hera e parë që liderët e tre vendeve shfaqen në një aktivitet të tillë që prej Luftës së Ftohtë.

“Shoku Kim Jong Un dhe presidenti Putin shkëmbyen opinione të hapura mbi çështje të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale,” raportoi KCNA.

Putin vlerësoi lart ushtarët e Koresë së Veriut që po luftojnë krah ushtrisë ruse kundër Ukrainës, duke i quajtur marrëdhëniet mes dy vendeve si “të posaçme të besimit, miqësisë dhe aleancës”.

Sipas raportimeve, Koreja e Veriut ka dërguar ushtarë, municione artilerie dhe raketa për të mbështetur Moskën në luftën e saj kundër Ukrainës.