Kreu i BDI-së Ali Ahmeti nuk do të jetë prezent në seancën e votimit të qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, pasi është kërkuar nga prokurorët e Gjykatës Speciale të Kosovës, që të dëshmojë për dy ditë në kuadër të dosjes ndaj ish-krerëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ahmeti ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.


Seanca e votimit të qeverisë së re të koalicionit LSDM-BDI mbahet më 2 shtator, kurse prokurorët i kanë kërkuar Ahmetit të jetë  në dispozicion për dy ditë për të dëshmuar.


Zëdhënësi Prokurorisë Speciale për krime të luftës në Kosovë, Christopher Bennett është shprehur për mediat se ndërsa nuk është ngritur aktakuza, nuk mund të thuhet pse dhe në çfarë cilësie është thirrur kreu i BDI.


Sipas tij, Prokuroria Speciale e Kosovës dhe gjykata nuk kanë dhënë detaje në publik deri në një vendimin përfundimtar, as nuk dihet kush është akuzuar dhe kush është dëshmitar, ndërsa theksoi se “ky rregull vlen edhe për Ahmetin”.


 “Ne nuk japim detaje në lidhje me asgjë që lidhet me hetimin tonë. Informacioni që po thoni (se ai u thirr për të dëshmuar) mendoj se vjen nga vetë Ahmeti”, tha Bennett.


Lideri i BDI-së konfirmoi se ai ishte thirrur të dëshmojë para prokurorëve të Prokurorisë Speciale në Kosovë më 2 dhe 3 shtator. Ndërkaq, në mediat shqiptare dhe maqedonase në Shkup është folur edhe për një mundësi të dorëheqjes së Ahmetit nga kreu i BDI-së e largim nga politika, nëse zyrtarizohet ndonjë akuzë ndaj tij.


Kurse nga BDI, këto zëra i kanë quajtur të pabaza dhe të rreme. Drejtues të BDI-së kanë thënë se Ahmeti është në Hagë për të dëshmuar dhe se nuk ka fare lidhje me ndonjë dosje ndaj tij.