Një moment prekës u shënua gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku ambasadori palestinez, Riyad Mansour, shpërtheu në lot teksa fliste për gjendjen katastrofike humanitare në Rripin e Gazës.

Duke folur për pasojat e ofensivës së rinisur izraelite, Mansour solli në vëmendje urinë dhe vuajtjet ekstreme që po përjetojnë civilët, veçanërisht fëmijët. “Kam nipër dhe mbesa. E di çfarë do të thotë kjo për familjet atje. Dhe ne, që s’kemi zemër të bëjmë diçka… kjo kapërcen çdo limit njerëzor,” tha ai me zë të dridhur, duke theksuar se “flakët dhe uria po gllabërojnë fëmijët palestinezë.”

Sipas tij, që prej rifillimit të sulmeve në mars, janë vrarë mbi 1,300 fëmijë dhe rreth 4,000 civilë të tjerë. Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu mohoi ekzistencën e një krize urie në Gaza, duke deklaruar se të arrestuarit palestinezë ishin “mbipeshë”, një koment që ka shkaktuar indinjatë të gjerë ndërkombëtare.

Në terren, gjendja është krejt tjetër: dhjetëra mijëra palestinezë vazhdojnë të dynden drejt pikave të shpërndarjes së ndihmave ushqimore, pamje që dëshmojnë qartë krizën akute humanitare në rajon.

Në përpjekje për të ndalur gjakderdhjen, i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steven Wietkoff, ka nisur një nismë për një armëpushim 60-ditor në Gaza, ndërsa tensionet në Këshillin e Sigurimit mbeten të larta.