Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se “Amerika është në krah të Ukrainës”, duke falënderuar presidentin amerikan Donald Trump për mbështetjen e tij. Mesazhi u publikua në platformën X dhe u shoqërua me një fotografi ku Zelensky dhe Trump shfaqeshin bashkë me bashkëshortet e tyre, Olena Zelenska dhe Melania Trump.

“Falënderojmë popullin e Shteteve të Bashkuara, presidentin Donald Trump dhe zonjën e parë Melania Trump për vëmendjen ndaj ukrainasve, ndaj fëmijëve tanë, ndaj popullit tonë. Qëndrojmë së bashku dhe kjo do të thotë jetë”, shkroi Zelensky.

Deklarata vjen pak ditë pasi Trump ndryshoi qëndrimin e tij, duke thënë se Ukraina ka mundësi ta fitojë luftën dhe të rimarrë të gjithë territorin e pushtuar nga Rusia. Sipas tij, Moska ka luftuar “pa qëllim” për më shumë se tre vjet, duke lënë të kuptohet se Rusia po humb drejtimin në këtë konflikt.