Dokumente përgatitore për pjesëmarrësit në samitin midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin janë gjetur në një printer hoteli në Anchorage të Alaskës. Dokumentet mbajnë vulën e Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe duket se janë shkruar nga zyrtarë amerikanë, por janë lënë në hotel.

Sipas mediave të huaja tetë faqe u zbuluan të premten në mëngjes në një printer në Hotelin Captain Cook, i cili është rreth 20 minuta larg me makinë nga Baza Ajrore Elmendorf-Richardson, ku të dy presidentët u takuan për të diskutuar luftën në Ukrainë.

Dokumentet u gjetën nga tre klientë të hotelit, thanë burimet. Faqja e parë zbuloi sekuencën e takimeve të 15 gushtit, duke përfshirë emrat specifikë të dhomave brenda bazës Anchorage ku ato do të zhvilloheshin. Gjithashtu zbulohet se Trump kishte ndërmend t’i jepte Putinit një dhuratë.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara për Presidentin Putin”, thuhet në dokument.

Të shtunën, zëvendëssekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, mohoi se dokumentet përmbanin informacione rreth takimit, por tha se ato ishin një menu dreke me shumë faqe. 

Gjithashtu, në dokumente përfshihej menyja për drekën e planifikuar, mini-biografi me foto të pjesëmarrësve. Vakti përfshinte një sallatë jeshile, fileto mignon dhe merluc, me një ëmbëlsirë krem brûlée. Kishte gjithashtu një tabelë ku tregohej vendet ku do uleshin. Putin dhe Trump do të uleshin përballë njëri-tjetrit gjatë vaktit.

Trump do të shoqërohej nga gjashtë zyrtarë: Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Shefja e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles në të djathtë të tij, dhe Sekretari i Thesarit Scott Bessant, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick dhe i dërguari special për ruajtjen e paqes Steve Witkoff në të majtë të tij.

Putin do të ulej direkt pranë Ministrit të tij të Jashtëm Sergei Lavrov dhe ndihmësit të politikës së jashtme të presidentit Yuri Ushakov. Gjatë samitit të së premtes, dreka u anulua.