Ajo u kthye në një ikonë globale të sensualitetit dhe lirisë femërore, një figurë që për dekada mishëroi erotizmin, rebelimin dhe thyerjen e tabuve. Brigitte Bardot, e cila u nda nga jeta sot në moshën 91-vjeçare, jetoi një ekzistencë ekstreme: mes adhurimit dhe përbuzjes, dashurisë dhe konfliktit, çlirimit dhe vetëshkatërrimit.

Pas shkëlqimit publik dhe mitit të ndërtuar rreth saj, fshihej një personalitet i mbushur me kontradikta të forta. Bardot ishte një grua që i kushtoi një pjesë të madhe të jetës mbrojtjes së kafshëve, duke u shndërruar në një aktiviste fanatike për të drejtat e tyre. Por në të njëjtën kohë, ajo nuk arriti kurrë të ndërtonte një marrëdhënie nënë–bir me djalin e saj të vetëm, Nicolas, të cilin e përjetoi si një kufizim të dhimbshëm për lirinë dhe identitetin e saj.

Ajo e pranoi publikisht se nuk ishte e përgatitur emocionalisht për mëmësinë, duke e konsideruar veten të papjekur për përgjegjësinë që kërkon rritja e një fëmije. Ky pohim, i rrallë për sinqeritetin e tij brutal, shoqëroi për vite me radhë një raport pothuajse inekzistent me të birin, i cili u thellua në distancë dhe përfundimisht në ndërprerje totale marrëdhëniesh.

Shtatzënia e saj, në kulmin e famës dhe gjatë martesës me aktorin Jacques Charrier, u përjetua si një traumë. Në një kohë kur aborti ishte i ndaluar me ligj, Bardot e pa trupin e saj të ndryshonte në mënyrë që ajo vetë e përshkroi si të padurueshme. Rrëfimet e saj autobiografike mbi këtë periudhë, të mbushura me imazhe tronditëse dhe deklarata të ftohta, shkaktuan reagime të forta publike dhe përfunduan edhe në procese gjyqësore, ku ajo u dënua për dëme morale ndaj djalit dhe ish-bashkëshortit.

Edhe pas lindjes, raporti i saj me fëmijën mbeti i largët. Edhe pse imazhet e saj me foshnjën pushtuan kopertinat e mediave, realiteti ishte krejt tjetër: një nënë emocionale e munguar dhe një fëmijë që gradualisht u rrit jashtë botës së saj. Pas divorcit, kujdestaria e plotë iu kalua babait dhe Bardot u largua përfundimisht nga roli i mëmësisë.

Në jetën sentimentale, ajo ndoqi të njëjtën logjikë ekstreme. Burrat hynin dhe dilnin nga jeta e saj me të njëjtën shpejtësi si rolet që interpretonte në ekran. Për Bardot-in, pasioni ishte kushti i vetëm për të qëndruar; sapo ai shuhej, marrëdhënia përfundonte pa kompromis. Ajo e braktisi kinemanë në kulmin e famës pikërisht për këtë arsye: për të mos u braktisur vetë nga koha dhe nga rënia e dëshirës publike.

Nga martesa me regjisorin Roger Vadim, te lidhjet e zjarrta me Jean-Louis Trintignant, këngëtarin Gilbert Bécaud, e deri te romancat me figura si Alain Delon dhe Serge Gainsbourg, jeta e saj private ishte po aq intensive sa edhe imazhi i saj publik. Gainsbourg madje i kushtoi asaj këngën ikonike “Je t’aime… moi non plus”, por Bardot refuzoi publikimin e versionit të tyre së bashku, nga frika e ekspozimit ndaj bashkëshortit të saj të tretë, industrialistit Günter Sachs.

Faza e fundit e jetës së saj mori një kthesë tjetër, më të errët. Martesa me Bernard d’Ormal, ish-këshilltar i Jean-Marie Le Pen, e afroi Bardot-in me ideologjitë e ekstremit të djathtë. Ajo jo vetëm që i përqafoi këto bindje, por i artikuloi publikisht përmes librave dhe deklaratave të saj, duke u dënuar disa herë nga gjykatat franceze për nxitje të urrejtjes racore.

Mbështetja e saj për Marine Le Pen u justifikua nga vetë Bardot si pasojë e ndjeshmërisë së përbashkët për çështjet e kafshëve, por kjo nuk e zbuti reagimin e ashpër të opinionit publik dhe institucioneve demokratike.

Pas figurës së gruas së lirë, pasionante dhe të pakontrollueshme, fshihej një ankth i vazhdueshëm. Bardot vuajti nga ndjenja e përndjekjes, humbja e privatësisë dhe një zbrazëti e thellë emocionale, që herë pas here shpërthente në sjellje vetëshkatërruese dhe tentativa për vetëvrasje. Ajo e përshkroi famën si një burg pa mure, ku çdo hap, çdo frymëmarrje, kontrollohej nga sytë e të tjerëve.

Brigitte Bardot mbetet një figurë që nuk mund të reduktohet në një përkufizim të vetëm: as heroinë, as anti-heroine. Ajo ishte një simbol i fuqishëm i lirisë, por edhe një shembull i çmimit të rëndë që kjo liri mund të kërkojë.