Aleanca e NATO-s duhet të jetë e përgatitur për mundësinë e një konflikti të drejtpërdrejtë me Rusinë. Paralajmërimi është bërë nga sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, gjatë një vizite zyrtare në Varshavë.

Streeting theksoi se vendet anëtare të NATO-s nuk kërkojnë një luftë me Moskën, por nuk mund të mbështeten te garancitë e presidentit rus Vladimir Putin se nuk synon të përshkallëzojë konfliktin. Ai solli në vëmendje deklaratat e mëparshme të Putinit për Ukrainën, pak ditë para nisjes së pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.

“Duhet të jemi të përgatitur për një skenar në të cilin Mbretëria e Bashkuar dhe aleanca e NATO-s gjenden në luftë me Rusinë. Jo sepse e dëshirojmë këtë, por sepse duhet të jemi të gatshëm”, deklaroi zyrtari britanik.

Ai akuzoi gjithashtu Kremlinin për organizimin e veprimeve që i cilësoi si “terrorizëm të sponsorizuar nga shteti” kundër vendeve anëtare të aleancës. Polonia dhe disa shtete të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë akuzuar Rusinë për sabotime dhe operacione të luftës hibride, pretendime që Moska i ka mohuar.

Deklaratat u bënë gjatë vizitës së Streeting në kryeqytetin polak, ku ai nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë.

Nga ana tjetër, ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, kërkoi forcimin e bashkëpunimit mes Londrës dhe Bashkimit Evropian, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes dhe prodhimin e armatimeve.

Sipas tij, situata e sigurisë në Evropë duhet të shërbejë si një mundësi për thellimin e bashkëpunimit mes vendeve evropiane. Ai u shpreh gjithashtu se Polonia do të mbështesë një afrim më të madh të Mbretërisë së Bashkuar me BE-në dhe pjesëmarrjen e saj në nismat evropiane për sigurinë.