Alarm dhe shqetësim në një anije ekspedite që ndodhet në Oqeanin Atlantik, pasi autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar raste me hantavirus në bord, ndërsa tre persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ndodhet në gjendje kritike.

Bëhet fjalë për anijen turistike MV Hondius, ku dyshohet se virusi është përhapur gjatë udhëtimit disa-javor, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë shëndetësore të pasagjerëve dhe ekuipazhit.

Sipas operatorëve të anijes, viktimat janë dy turistë holandezë dhe një shtetas gjerman. Ndërkohë, një pasagjer britanik është diagnostikuar me virusin dhe po trajtohet në terapi intensive.

Hantavirusi është një infeksion i rrallë, por potencialisht fatal, që zakonisht transmetohet nga brejtësit përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet ose sekrecionet e tyre. Sëmundja mund të shkaktojë komplikacione të rënda respiratore dhe dëmtime serioze në organizëm.

Ekspertët shëndetësorë sqarojnë se transmetimi nga personi te personi është jashtëzakonisht i pazakontë, megjithatë ekziston një variant i njohur si virusi Andes, i cili në raste të rralla mund të përhapet edhe mes njerëzve.

Anija kishte nisur itinerarin nga Ushuaia, në jug të Argjentines, zonë ku ky variant i virusit konsiderohet endemik. Gjatë javëve të fundit, ajo kishte zhvilluar ndalesa në disa destinacione, përfshirë Antarktiden dhe ishuj të ndryshëm të Atlantikut, përpara se të mbërrinte pranë Cape Verde.

Në bord ndodhen 149 persona nga 23 shtete të ndryshme, ndërsa autoritetet lokale në Kepin e Gjelbër nuk kanë lejuar ende zbarkimin e tyre, për shkak të rrezikut të mundshëm shëndetësor.

Sipas raportimeve, Organizata Boterore e Shendetit po vlerëson mundësinë e evakuimit të plotë të anijes, ndërsa ishujt Las Palmas dhe Tenerife në Spanje po shqyrtohen si destinacione të mundshme për pritjen e pasagjerëve dhe ekuipazhit.

Periudha e inkubacionit të hantavirusit mund të zgjasë nga një deri në tetë javë, kohë që përputhet me kohëzgjatjen e udhëtimit të anijes. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se forma pulmonare e virusit ka një shkallë të lartë vdekshmërie dhe se deri më tani nuk ekziston një trajtim specifik për sëmundjen.