Turqia dërgoi një anije për të kryer një studim sizmik në një zonë në Mesdheun Lindor, një veprim që Greqia e konsideron të paligjshëm dhe që ka të ngjarë të rrisë tensionet mes dy aleatëve të NATO-s.


Për këtë Greqia është vendosur në alert të plotë duke thënë se është kërcënuar paqja dhe stabiliteti. 


Në Athinë, u bë një mbledhje urgjente e organit të lartë vendimmarrës të vendit për çështjet e jashtme dhe çështjet e mbrojtjes, KYSEA.


Ministri i Jashtëm Nikos Dendias lëshoi një deklaratë të ashpër duke i bërë thirrje Turqisë të “përfundojë menjëherë veprimet e saj të paligjshme që dëmtojnë paqen dhe sigurinë në rajon”.


Nga ana tjetër Ministria e Jashtme e Turqisë tha se Greqia po shkakton tensione në Mesdheun Lindor duke hedhur “pretendime” mbi sovranitetin e saj, pasi anija e kërkimit sizmik të vendit Oruc Reis mbeti në një zonë në jug të ishullit Grek të Kastellorizo.


“Greqia pretendon 40,000 km2 zonë juridiksionesh detare për shkak të këtij ishulli të vogël dhe përpjekjet për të ndaluar Oruc Reis dhe bllokimin e Turqisë në Mesdheun Lindor,” tha Cagatay Erciyes, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme turke.


“Ky pretendim maksimalist nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Eshtë kundër parimit të barazisë. Megjithatë Greqia i kërkon BE dhe SH.B.A. të mbështesin këtë pretendim dhe të bëjnë presion ndaj Turqisë për të ndërprerë aktivitetet e saj të ligjshme në det të hapur,”shtoi ai.