Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka rikthyer në qendër të tensioneve mes Ankarasë dhe Athinës çështjen e pranisë ushtarake në ishujt e Egjeut, duke deklaruar se Turqia e konsideron militarizimin e disa prej tyre një kërcënim për sigurinë e saj.

Deklaratat u bënë gjatë vizitës së Fidan në Azerbajxhan, ku kreu i diplomacisë turke foli edhe për marrëdhëniet me Greqinë. Ai theksoi se Ankaraja kërkon ruajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por tha se çështja e ishujve vazhdon të mbetet një pikë serioze mosmarrëveshjeje mes dy vendeve.

Sipas Fidan, Turqia i ka përcjellë Athinës shqetësimet e saj lidhur me vendosjen e forcave dhe pajisjeve ushtarake në disa ishuj të Detit Egje.

Kryediplomati turk pretendoi se disa prej këtyre ishujve kanë status të çmilitarizuar sipas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe akuzoi Greqinë se nuk po respekton detyrimet që, sipas interpretimit të Ankarasë, rrjedhin nga këto traktate.

Fidan deklaroi se Turqia e sheh praninë ushtarake në këto territore si çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë e saj.

Ai tha gjithashtu se mosmarrëveshja nuk është e re. Sipas ministrit turk, Ankaraja e ka ngritur çështjen që prej viteve 1960, si në komunikimet dypalëshe me Greqinë, ashtu edhe në NATO dhe Kombet e Bashkuara.

Pavarësisht gjuhës së ashpër për çështjen e Egjeut, Fidan u përpoq të përcillte paralelisht edhe një mesazh për vazhdimin e dialogut. Ai tha se Turqia nuk dëshiron që Greqia të shndërrohet në një instrument të aktorëve që, sipas tij, synojnë destabilizimin e rajonit.

Ministri turk i bëri thirrje Athinës që të veprojë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare siç interpretohen nga Ankaraja, duke argumentuar se dy vendet, si aleate në NATO, duhet të shmangin hapa që mund të shtojnë tensionet.

Deklaratat e Fidan rikthejnë një prej mosmarrëveshjeve të kahershme greko-turke në Egje, në një periudhë kur të dyja palët kanë deklaruar se synojnë të ruajnë kanalet e komunikimit dhe të shmangin përshkallëzimin e tensioneve.