Liderja e së djathtës ekstreme në Francë, Marine Le Pen, ka konfirmuar se do të kandidojë për presidente në zgjedhjet e vitit 2027, pavarësisht se u shpall fajtore nga Gjykata e Apelit në Paris për përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian.
Në një intervistë për mediat franceze, Le Pen deklaroi se do ta çojë çështjen në Gjykatën e Kasacionit, instanca më e lartë civile në Francë, duke këmbëngulur se është e pafajshme.
“Nuk mund të bëj fushatë elektorale me një byzylyk elektronik. Do të ndjek çdo rrugë ligjore për të mbrojtur pafajësinë time në këtë çështje”, u shpreh ajo.
Pak orë më parë, Gjykata e Apelit në Paris e shpalli fajtore Le Pen për keqpërdorimin e 2.8 milionë eurove fonde të Parlamentit Evropian, përmes një skeme me vende pune fiktive. Megjithatë, gjykata vendosi që ajo mund të garojë në zgjedhjet presidenciale, edhe pse do të duhet të mbajë një byzylyk elektronik për një periudhë njëvjeçare.
Me këtë vendim, merr fund edhe spekulimi i muajve të fundit se kandidatura e kampit të ekstremit të djathtë mund t’i besohej presidentit 30-vjeçar të partisë “Tubimi Kombëtar” (Rassemblement National), Jordan Bardella.
E pyetur nëse ekziston ndonjë skenar në të cilin mund të tërhiqet nga gara presidenciale, Le Pen u përgjigj prerazi: “Jo, nuk ka një skenar të tillë. Sonte jam këtu për t’ju thënë se jam kandidate për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027”.
