Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të jenë pranë një marrëveshjeje të rëndësishme diplomatike, e cila sipas raportimeve të mediave arabe pritet të shpallet në orët në vijim.

Media arabe Al Arabiya raporton, duke iu referuar burimeve të saj, se drafti final i marrëveshjes është hartuar me ndërmjetësimin e Pakistanit dhe përfshin disa pika kyçe mes dy vendeve.

Sipas informacioneve, marrëveshja parashikon një armëpushim të menjëhershëm, garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, si dhe heqjen graduale të sanksioneve amerikane ndaj Iranit.

Mediat e Emirateve bëjnë me dije se marrëveshja mund të hyjë në fuqi menjëherë pas njoftimit zyrtar nga Uashingtoni dhe Teherani.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka reaguar me tone më të kujdesshme, duke deklaruar se është shënuar progres në negociata, por ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me situatën në Hormuz.