Një marrëveshje diplomatike mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iran pritet të finalizohet në orët e ardhshme, pas negociatave intensive të zhvilluara me ndërmjetësimin e Katarit dhe Pakistanit.
Sipas raportimeve të Al Arabiya, drafti final i marrëveshjes përmban dhjetë pika kryesore që synojnë uljen e tensioneve dhe ndalimin e përplasjes mes dy vendeve, konflikt që është përshkallëzuar që prej fundit të muajit shkurt.
Një nga elementët që ka tërhequr më shumë vëmendje është fakti se në draft nuk përmendet drejtpërdrejt programi bërthamor iranian, çështje që prej vitesh mbetet në qendër të përplasjeve mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Sipas mediave saudite, marrëveshja parashikon armëpushim të menjëhershëm në tokë, det dhe ajër, ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës ushtarake, civile dhe ekonomike, si dhe pezullimin e operacioneve ushtarake dhe luftës mediatike mes palëve.
Po ashtu, drafti përfshin respektimin e sovranitetit territorial, garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, Gjirin Arabik dhe Gjirin e Omanit, si dhe heqjen graduale të sanksioneve amerikane ndaj Iranit në këmbim të respektimit të marrëveshjes.
Marrëveshja parashikon gjithashtu nisjen e negociatave të reja për çështjet e pazgjidhura brenda shtatë ditëve dhe krijimin e një mekanizmi të përbashkët për monitorimin e zbatimit të saj.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se Teherani nuk ka kërkuar “asnjë lëshim” nga SHBA-ja, por vetëm rikthimin e të drejtave të tij, përfshirë heqjen e sanksioneve, lirimin gradual të aseteve të ngrira dhe heqjen e bllokadës detare ndaj eksporteve iraniane të naftës.
Megjithatë, disa tema mbeten ende të hapura, mes tyre programi bërthamor iranian dhe menaxhimi i trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, të cilat pritet të diskutohen në negociata të veçanta në javët e ardhshme.
Nëse shpallet zyrtarisht, kjo marrëveshje mund të konsiderohet një nga zhvillimet më të rëndësishme diplomatike në Lindjen e Mesme në vitet e fundit.
