Drejtori i Zastava-s konfirmon se dy prej tyre ishin të prodhimit serb. Arrestohet “shitësi”  


Milojko BrzakoviçDrejtori i njërës prej fabrikave më të njohura për prodhimin e armëve në Serbi dhe në mbarë Ballkanin, Zastava, ka konfirmuar dje se të paktën dy nga armët e përdorura në sulmin e kryer nga militantët islamikë gjatë sulmeve terroriste në Paris, më 13 nëntor, janë prodhuar nga kompania e tij në fillim të viteve 1990. Milojko Brzakoviç, menaxher i përgjithshëm i fabrikës së armëve, Zastava, në Kragujevac në Serbinë Qendrore, ka pohuar dje për agjencitë perëndimore të lajmeve, se Ministria e Brendshme e Serbisë kishte kërkuar informacion në lidhje me armë të veçanta, të përdorura në sulmet e Parisit, si pjesë e një hetimi ndërkombëtar. Brzakoviç tha se hetuesit kanë gjurmuar origjinën e të paktën dy revoleve të tipit M70, të përdorur në këtë sulm. Ai tha se zyrtarët serbë kanë dhënë “numra specifikë” për armët janë përdorur nga militantët në Paris që u gjetën në skenat e sulmeve.


 


Dyshimet e gjermanëve


Sipas gazetës gjermane “Bild”, dy armë të tipit automatik AK-47 të verifikuara se janë përdorur në sulmet e Parisit, ishin prodhime kineze dhe të tjera të prodhimit serb, Zastava. Janë pikërisht ato të tipit M70s – të cilat sipas “Bild” – pretendohet se janë shitur online nga një i dyshuar për shitblerje të paligjshme armësh, ndaj një blerësi me theks arab më datë 7 nëntor, pikërisht 6 ditë para sulmeve të Parisit. Aludimet e palës gjermane përputhen në një pikë me deklaratat e drejtorit të fabrikës më të madhe ish-jugosllave të prodhimit të armëve luftarake, duke çelur kësisoj edhe një debat të ri mbi shitblerjen e armëve në kontinent e më gjerë, veprimtari që mund të ushqejë terrorizmin në çdo vend e çdo kohë.


 


Arrestimi në Gjermani


Sipas mediave gjermane e atyre britanike, një burrë është arrestuar në Gjermani me dyshimet për transport ilegal armësh, ndërsa Berlini zyrtar po kryen disa reprezalje për të zbardhur më shumë detaje dhe për të penguar që të ndodhë edhe në Berlin një atentat i tipit terrorist të Parisit, të 13 nëntorit 2015. Prokurorët gjermanë besojnë se 34-vjeçari i arrestuar mund të jetë njeriu që mund të ketë furnizuar me armë atentatorët terroristë të Parisit, gjashtë ditë para se të kryhej sulmi ku gjetën vdekjen 130 vetë. Sidoqoftë, i arrestuari është në një fazë hetimore, nga e cila nuk mund të pretendohet tërësisht dyshimi i mësipërm. “Nuk ka evidenca konkrete për një lidhje të tij me sulmet e Parisit”, tha dje Prokuroria Federale. Gazeta bulevardeske gjermane “Bild” e identifikoi të arrestuarin si Sascha W, nga Magstadt në jug të landit gjerman të Baden-Vyrtembergut.


 


Shitblerjet në “Dark Web”


Informacioni ka qenë shumë i limituar – sipas mediave gjermane – por ato sugjerojnë se bëhet fjalë për një tregtar ilegal armësh, i motivuar nga përfitimi material më shumë se sa nga ideologjia terroriste. Ai dyshohet se e ka zhvilluar tregtinë nëpërmjet atij që njihet si “Dark Web” (interneti i errët), veprimtari e cila nuk reflektohet në indekset e makinave të kërkimit në rrjet e që mund të aksesohej vetëm nëpërmjet një programi të veçantë kompjuterik, me të cilin operonte edhe blerësi i dyshuar arab. I dyshuari rezulton të ketë qenë nën mbikëqyrje policore qysh në fillim të vitit, sipas gazetës “Bild”. Policia ka evidenca, sipas të cilave ai është angazhuar në tetë raste të mëparshme shitblerjesh ilegale të armëve në muajt gusht dhe nëntor gjatë këtij viti. Po ashtu, tre persona u arrestuan së fundmi në Gjermani gjatë natës ndërsa gdhihej e premtja, ndërsa vetë qeveria gjermane po planifikon pjesëmarrje më aktive në sulmet ndaj IS-it, duke angazhuar avionë dhe një fregatë në ndihmë të inkursioneve të avionëve francezë në territoret e mbajtura nga IS-i në Siri dhe Irak.