Kremlini ka deklaruar se Evropa nuk mund të ndërmjetësojë në konfliktin në Ukrainë, duke argumentuar se kontinenti po qëndron pranë Kievit.

Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov, tha gjatë një konferencë për mediat se armët evropiane po përdoren drejtpërdrejt kundër Rusisë, gjë që e bën të pamundur rolin e ndërmjetësuesit nga ana e Bashkimit Europian.

“Për momentin, Evropa është palë në konflikt përkrah Ukrainës. Të mos harrojmë se armët evropiane po qëllojnë drejtpërdrejt drejt nesh dhe është e pamundur ta injorojmë këtë. Prandaj, natyrisht, Evropa nuk mund të pretendojë se po ndërmjetëson në asnjë mënyrë,” u shpreh Peskov, i cituar nga agjencia Interfax.

Në të njëjtën linjë, Peskov kritikoi Brukselin për refuzimin e dialogut me Moskën, duke e cilësuar këtë si gabimin më të madh të diplomacisë evropiane. “Gabimi më i madh që po bëjnë evropianët dhe qytetarët e Brukselit është që refuzojnë kategorikisht çdo dialog me Rusinë. Por është e pamundur të zgjidhen dhe diskutohen çështjet pa dialog. Ky është shkaku kryesor i ngërçit në marrëdhëniet tona,” tha ai, i cituar nga Tass.

Deklaratat e Kremlinit vijnë në një moment kur tensionet mes Rusisë dhe perëndimit për konfliktin në Ukrainë mbeten të larta, ndërsa roli i Bashkimit Europian si ndërmjetës mbetet i sfiduar nga perceptimi i Moskës se po favorizohet njëra palë.