Rusia ka hedhur poshtë mundësinë që Bashkimi Europian të luajë rol ndërmjetësues në konfliktin ukrainas, duke argumentuar se vendet evropiane janë të përfshira drejtpërdrejt në mbështetjen e Kievit.

Gjatë një deklarate për mediat, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se furnizimi i Ukrainës me armë nga vendet evropiane e përjashton BE-në nga çdo rol neutral në procesin e ndërmjetësimit.

Sipas tij, Moska e konsideron Evropën si një palë të pozicionuar qartë në konflikt, çka, sipas Kremlinit, e bën të pamundur që ajo të shërbejë si ndërmjetëse mes Rusisë dhe Ukrainës.

Peskov shprehu gjithashtu kritika ndaj institucioneve evropiane për mungesën e dialogut me Moskën, duke theksuar se komunikimi diplomatik mbetet i domosdoshëm për trajtimin e çështjeve të hapura mes palëve.

Deklaratat vijnë në një periudhë kur përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për luftën në Ukrainë vazhdojnë të përballen me vështirësi, ndërsa marrëdhëniet mes Rusisë dhe vendeve perëndimore mbeten të tensionuara.