Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po veprojnë pa u ndëshkuar dhe se besojnë se fuqia e tyre ka më shumë rëndësi sesa ligji ndërkombëtar, në një deklaratë të fortë dhënë për BBC.
Guterres tha se ekziston një “bindje e qartë” në Uashington se zgjidhjet shumëpalëshe janë të parëndësishme dhe se ajo që ka rëndësi është ushtrimi i fuqisë dhe ndikimit amerikan, edhe në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare.
Deklaratat e tij vijnë vetëm disa javë pas sulmit të SHBA-së ndaj Venezuelës dhe arrestimit të presidentit të saj, si dhe në kontekstin e kërcënimeve të përsëritura të Donald Trump për të aneksuar Groenlandën
Guterres paralajmëroi se parimet themeluese të OKB, përfshirë barazinë mes shteteve anëtare, janë tashmë nën kërcënim serioz.
Presidenti Trump ka qenë më herët kritik ndaj OKB-së, duke deklaruar se organizata nuk ka ndihmuar në përfundimin e konflikteve globale dhe duke vënë në pikëpyetje vetë rolin e saj në rendin ndërkombëtar.
I përballur me këto kritika, Guterres pranoi se OKB-ja ka vështirësi t’i detyrojë shtetet anëtare të zbatojnë ligjet ndërkombëtare, duke theksuar se “fuqitë e mëdha kanë ndikim më të fortë se organizata”.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se kjo fuqi përdoret shpesh për zgjidhje të shpejta politike, dhe jo për paqe të qëndrueshme, duke theksuar se ekziston një dallim i madh mes këtyre dy qasjeve.
Sekretari i Përgjithshëm bëri thirrje për reforma të thella në OKB për të përballuar sfidat globale, duke paralajmëruar se “ligji i pushtetit” po zëvendëson gjithnjë e më shumë “fuqinë e ligjit”.
Guterres kritikoi gjithashtu Këshillin e Sigurimit, duke e quajtur atë jo përfaqësues dhe joefektiv në realitetin aktual global. Ai theksoi se fuqia e vetos e pesë anëtarëve të përhershëm shpesh përdoret për interesa kombëtare, duke bllokuar përpjekjet për t’i dhënë fund konflikteve në Ukrainë dhe Gaza.
Ai propozoi ndryshime në përbërjen e Këshillit të Sigurimit për të rikthyer legjitimitetin dhe për t’i dhënë zë më të gjerë botës, si dhe kufizimin e vetos për të shmangur bllokime të papranueshme në vendimmarrje./TCH
