Autoritetet në Serbi kanë arrestuar dy persona të dyshuar për planifikimin e një sulmi ndaj presidentit të vendit, Aleksandar Vuçiç, si dhe familjarëve të tij.

Sipas njoftimit zyrtar, gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të arrestuarit, ndërsa hetimet për çështjen janë në vijim.

Ministrja e Brendshme e Serbisë bëri të ditur se dy personat dyshohen për përpjekje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues dhe për përmbysje të autoriteteve më të larta shtetërore gjatë periudhës dhjetor 2025 – shkurt 2026.

Sipas saj, ata akuzohen se kanë organizuar sigurimin e armëve dhe kanë planifikuar sulme ndaj presidentit Aleksandar Vuçiç, bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, si edhe ndaj anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Hetimet synojnë të zbardhin plotësisht rrethanat dhe shkallën e përfshirjes së të dyshuarve në këtë çështje.