Një 27-vjeçar me shtetësi britanike dhe iraniane është arrestuar në Westminster të Londrës, nën dyshimin për përgatitje të akteve terroriste, në kuadër të hetimit për incidentin pranë bazës ajrore RAF Fairford.
Sipas autoriteteve britanike, i riu është ndaluar në bazë të nenit 5 të Aktit të Terrorizmit të vitit 2006. Në të njëjtin operacion, policia ka marrë në pyetje edhe një 26-vjeçar britanik, ndërsa janë kontrolluar dy prona në zonën e Westminsterit.
Hetimi lidhet me ngjarjet e raportuara pranë Whelford, ku të dielën u arrestuan pesë persona të tjerë, të gjithë në të 20-at. Ata janë liruar me kusht, ndërsa hetimet ndaj tyre vijojnë.
Koordinatorja e Lartë Kombëtare për Policimin Kundër Terrorizmit, Vicki Evans, e ka cilësuar hetimin si “jashtëzakonisht kompleks”, duke bërë me dije se ekipet e specializuara po ndjekin disa pista.
Autoritetet britanike po hetojnë edhe mundësinë e përfshirjes së një shteti të huaj në incident. Pesë personat e arrestuar më herët janë liruar pa akuza, ndërsa gjatë kontrolleve në automjetet e dyshuara nuk janë gjetur eksplozivë. Policia ka sekuestruar, megjithatë, një sasi benzine.
Deri tani, autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht përfshirjen e ndonjë shteti apo organizate në ngjarje.
Ndërkohë, Andy Burnham ka deklaruar se ekzistojnë “indikacione të forta” për një përfshirje të mundshme të Iranit, por kjo mbetet një nga pistat që po verifikohen nga hetuesit.
