Djali i themeluesit të kompanisë së njohur të modës Mango, Jonathan Andic, është arrestuar nga policia katalanase në lidhje me vdekjen e të atit, biznesmenit Isak Andic.
45-vjeçari u ndalua të martën në kuadër të një hetimi të rihapur mbi vdekjen e manjatit të modës, e cila fillimisht ishte konsideruar si aksidentale.
Isak Andic, 71 vjeç, humbi jetën në dhjetor të vitit 2024 pasi ra në një humnerë gjatë një shëtitjeje në malet e Montserratit, pranë Barcelonës. Në momentin e ngjarjes ai ndodhej me djalin e tij, megjithëse mediat spanjolle kanë raportuar versione të ndryshme lidhur me praninë e personave të tjerë të familjes.
Jonathan Andic ka mohuar më herët çdo përgjegjësi për vdekjen e të atit.
Një zëdhënës i familjes deklaroi për Reuters se Jonathan po merret në pyetje nga autoritetet dhe se familja beson plotësisht në pafajësinë e tij.
Ai iu bashkua kompanisë Mango në vitin 2005 dhe më vonë mori drejtimin e linjës “Mango Man”. Pas vdekjes së Isak Andic, Jonathan u emërua nënkryetar i bordit drejtues të kompanisë.
Hetuesit në Katalonjë e kishin mbyllur fillimisht çështjen në fillim të vitit 2025, pasi nuk kishin gjetur prova për vepër penale. Megjithatë, hetimi u rihap më vonë pas dyshimeve për mospërputhje në dëshminë e Jonathan Andic, sipas gazetës spanjolle La Vanguardia.
