Autoritetet ruse kanë vënë në pranga një të mitur, i cili dyshohet se ka lidhje me një kërcënim të mundshëm terrorist ndaj kompleksit muzeor Tsaritsyno në kryeqytetin Moskë.
Sipas Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), dyshimet u ngritën pas publikimit të disa fotografive në platformën TikTok, ku i mituri shfaqej i veshur me rroba taktike, me maskë, kapuç, syze dielli dhe kufje. Në njërën prej pamjeve ai mbante edhe një objekt që ngjante me armë automatike.
Gjithashtu, në profilin e tij ishin publikuar fotografi të realizuara në ambientet e kompleksit Tsaritsyno, të shoqëruara me mbishkrimin enigmatik: “Gjeta një vend”.
Shqetësimi për një sulm të mundshëm u shtua pas një paralajmërimi të ambasadës amerikane në Moskë, e cila të shtunën njoftoi për një kërcënim të besueshëm për një ngjarje me viktima masive në zonën e muzeut. Ambasada u kërkoi shtetasve amerikanë të shmangnin këtë territor dhe vendet ku grumbullohen shumë njerëz.
Pas alarmit, kompleksi muzeor dhe parku u mbyllën përkohësisht, ndërsa vizitorët u evakuuan. Autoritetet njoftuan se ambientet u rihapën më 1 nëntor. Paralajmërim për një rrezik të mundshëm sigurie raportohet të ketë dhënë edhe ambasada gjermane në Rusi.
Rasti ka rikthyer vëmendjen te sulmi terrorist i marsit 2024 në sallën e koncerteve Crocus City Hall, pranë Moskës, ku humbën jetën më shumë se 150 persona dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur. Ndërkohë, hetimet për kërcënimin e fundit vijojnë.
