Frank Somerville, ish-prezantuesi i njohur i lajmeve në televizionin KTVU-TV, është arrestuar për herë të katërt në pesë vitet e fundit.
Sipas policisë së Oakland, ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 17:45, kur autoritetet morën një raport për një përleshje fizike në një banesë. Edhe pse autoritetet nuk bënë publik emrin e të arrestuarit, vetë Somerville e pranoi përmes një postimi në rrjetet sociale se ishte përfshirë në incident.
Në rrëfimin e tij 67-vjeçari pretendoi se e bija kishte shkuar në shtëpinë e tij duke kërkuar para dhe se ishte në një “gjendje tërheqjeje” për shkak të varësisë nga marihuana. Ai tha se e kërkoi largimin e saj, por situata degradoi në një përplasje fizike, nga e cila ai doli me disa lëndime që i ndau në rrjetet sociale për të “treguar të vërtetën”.
“Unë e dua vajzën time më shumë se çdo gjë. Nuk do ta lëndoja kurrë qëllimisht. Por ndonjëherë, kur situatat përkeqësohen, ndodhin gjëra të këqija,” shkroi ai, duke pretenduar se ishte i kthjellët në momentin e ngjarjes dhe se prej nëntë muajsh kishte lënë alkoolin.
Pasi vajza e tij u largua nga shtëpia, Somerville kontaktoi ish-bashkëshorten, e cila shprehu frikën se vajza mund ta sulmonte edhe atë. Por, në momentin që ai mbërriti në banesën e saj, policia ishte tashmë aty dhe e arrestoi menjëherë.

Somerville ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për sjellje të çuditshme dhe probleme me ligjin, veçanërisht pas largimit nga televizioni në vitin 2021. Ai u përfshi në një aksident rrugor ndërsa drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe pak më pas u shfaq në transmetim lajmesh në një gjendje të çrregullt, duke ngatërruar fjalët. Ai më vonë e justifikoi sjelljen me marrjen aksidentale të një doze pilulash Ambien.
Në vitin 2023, Somerville u arrestua dy herë brenda të njëjtës natë fillimisht për dhunë ndaj vëllait të tij dhe më pas pasi u gjet në gjendje të dehur në automjet.
Burime pranë familjes thonë se problemet e tij nisën të përkeqësohen pas divorcit nga bashkëshortja, e cila kërkoi zyrtarisht ndarjen vetëm një javë pas arrestimit të tij të parë.
Somerville u lirua me kusht pas arrestimit të fundit, ndërsa hetimet për incidentin vijojnë. Ai nuk ngurroi të përdorë rrjetet sociale për të dhënë versionin e tij, ndërkohë që shumë komentues u shprehën të shqetësuar për gjendjen e tij mendore dhe marrëdhëniet brenda familjes.
Ndërsa ai pretendon se po lufton për kthjellimin e tij, episodet e përsëritura me ligjin po hedhin hije të rënda mbi të kaluarën e tij profesionale si një nga fytyrat më të njohura të lajmeve në SHBA.