John Alite, një emër i njohur i botës së krimit me origjinë shqiptare, është arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të premten, pasi akuzohet për dhënie parash me fajde.
Ai njihej si vrasës me pagesë i mafias, që më pas u shndërrua në anëtar të këshillit bashkiak të New Jersey-t.
63-vjeçari njihet si ish-anëtar i familjes mafioze Gambino në New York dhe si bashkëpunëtor i ngushtë i John Gotti Jr., një nga figurat më të njohura të mafias amerikane.
Sipas mediave të huaja, ai është arrestuar sërish në New Jersey, këtë herë nën akuza që lidhen me fajde, zhvatje dhe kërcënime.
Prokuroria e New Jersey-t ka ngritur disa akuza penale ndaj tij, ndërsa hetimet për rastin vijojnë dhe priten zhvillime të mëtejshme.
Alite, me origjinë nga Gjirokastra, ka pranuar në të kaluarën përfshirjen në aktivitete kriminale gjatë viteve të tij në strukturat e mafias amerikane, përpara se të bashkëpunonte me drejtësinë dhe të distancohej publikisht nga ajo periudhë.
Pas daljes nga burgu, ai u përpoq të ndërtonte një imazh të ri si folës motivues dhe më pas u përfshi edhe në jetën politike lokale në New Jersey, duke u paraqitur si shembull i rehabilitimit.
Arrestimi i fundit ka rikthyer sërish në qendër të vëmendjes të kaluarën e tij, duke hapur debate mbi figurën e tij mes krimit të së shkuarës dhe rolit publik të viteve të fundit.
