Misioni historik Artemis 2, që rikthen njerëzimin drejt Hënës pas më shumë se 50 vitesh, po vijon me sukses të plotë, thotë NASA. Ekuipazhi ka përfunduar me sukses ndezjen e motorëve për të dalë nga orbita e Tokës dhe për të nisur udhëtimin drejt satelitit natyror.

Entuziazmi në bord është aq i madh, sa astronautët janë “ngjitur pas dritareve” për të shijuar pamjen spektakolare të hapësirës, madje duke i ndotur ato nga afërsia dhe kurioziteti për të fotografuar.

Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, astronauti kanadez Jeremy Hansen deklaroi se ekuipazhi ndihet shumë mirë gjatë udhëtimit: “Ekuipazhi ndihet mjaft mirë këtu lart, në rrugën për në Hënë”.

Ai shtoi se e ndjeu qartë forcën dhe përkushtimin e nevojshëm për një mision të tillë historik.

Katër astronautë u nisën nga Florida të mërkurën (1 prill) në misionin Artemis II të NASA-s. Ekuipazhi i Artemis II përbëhet nga astronautët e NASA-s Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, si dhe astronauti i Agjencisë Hapësinore Kanadeze Jeremy Hansen. Ata janë planifikuar për një ekspeditë gati 10-ditore rreth Hënës dhe kthim, duke shkuar më thellë në hapësirë se sa ka arritur ndonjëherë njeriu.