Një arush lodër, që dukej sikur ishte bërë nga lëkura e njeriut, ngriti panik në Victorville, Kaliforni. Ngjarja ndodhi më 13 korrik, kur policia u njoftua nga banorë të shqetësuar, të cilët kishin frikë se mund të bëhej fjalë për një vrasës serial.
Arushi u gjet jashtë një dyqani pranë një pike karburanti në Bear Valley Road. Për shkak të pamjes së frikshme, autoritetet rrethuan zonën me shirita të verdhë dhe e morën objektin për ekzaminim.
Pas hetimeve, mjekja ligjore Dr. M. Phan-Tang sqaroi se lodra nuk ishte e bërë nga lëkurë njeriu dhe nuk përmbante inde njerëzore. Rezultoi se arushi ishte një lodër e blerë online, që shitej me pretendimin absurd se ishte “e bërë nga lëkurë njeriu”.
Policia arrestoi një person që dyshohet se e vendosi arushin për shaka, por që përfundoi duke shkaktuar panik të madh. Ndërkohë, u mësua se arushi ishte blerë në platformën Etsy për 165 dollarë. Krijuesi i lodrës, i habitur nga gjithë situata, tha në Facebook se as vetë nuk po e besonte atë që ndodhi.
