Përplasjet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni duket se janë thelluar pas deklaratave të fundit publike lidhur me qëndrimin e Italisë ndaj krizës në Ngushticën e Hormuzit.

Në një prononcim për rrjetin amerikan NBC, Trump kritikoi hapur Melonin dhe NATO-n, duke deklaruar se nuk mori mbështetjen që priste gjatë tensioneve të fundit në Lindjen e Mesme.

“Meloni ishte një mbështetëse fanatike e imja, por tani nuk e dua më as si fanse, sepse ajo nuk qëndroi pranë meje, as ajo dhe as NATO-ja, kur u ngrit çështja e Ngushticës së Hormuzit”, u shpreh presidenti amerikan.

Më herët, Trump kishte bërë komente ironike edhe në televizionin italian La7, ku deklaroi se Meloni “iu lut për një foto” gjatë samitit të G7 dhe se “i vinte keq për të”.

Deklaratat e presidentit amerikan sollën reagim të menjëhershëm nga kryeministrja italiane, e cila publikoi një video në platformën X duke i cilësuar fjalët e Trump “trillime të pastra”.

“Jam sinqerisht e habitur. Nuk e di pse presidenti i Shteteve të Bashkuara sillet kështu ndaj aleatëve të tij. Nuk është hera e parë”, deklaroi Meloni.

Ajo akuzoi gjithashtu Trump se tregon më shumë mirëkuptim ndaj kundërshtarëve të Perëndimit sesa ndaj aleatëve tradicionalë të SHBA-së.

“Më zhgënjen fakti që ai nuk tregon të njëjtën vendosmëri ndaj armiqve të Perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara. Ka një gjë që duhet ta mbajë mend: as unë dhe as Italia nuk lutemi kurrë”, tha Meloni.

Raportet mes dy liderëve janë ftohur ndjeshëm pas shpërthimit të konfliktit me Iranin. Qeveria italiane refuzoi t’u japë forcave amerikane leje për përdorimin e një baze ajrore në Siçili për operacione ushtarake, një vendim që shkaktoi irritim në Uashington.

Tensionet u shtuan edhe më shumë pasi Meloni mbrojti Pope Leo XIV ndaj kritikave të Trump, i cili e kishte akuzuar Papën se ishte “i butë ndaj krimit” dhe “shkatërrues për politikën e jashtme”.