Lufta në Ukrainë ka arritur në ditën e 1,279-të, ndërsa zhvillimet diplomatike dhe sulmet ushtarake mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka folur përsëri me presidentin rus Vladimir Putin, duke e përshkruar bisedën si “të mirë”: “Patëm një bisedë të mirë, të gjitha bisedat tona janë të mira.”

Gjatë intervistës, Trump akuzoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e quajtur atë “një shitës të shkëlqyer” dhe shtoi se “sa herë largohej nga Shtëpia e Bardhë, merrte me vete miliona dollarë.”

Për sa i përket ndihmës financiare amerikane për Ukrainën, Trump theksoi se SHBA nuk do të shpenzojnë më para për Kievin: “Ne merremi me NATO-n, jo me Ukrainën.” Ai gjithashtu theksoi se Shtetet e Bashkuara do të jenë të pranishme për çështjet e sigurisë, por nuk diskutuan garanci specifike për Ukrainën.

Trump komentoi edhe për një mundësi takimi mes Putinit dhe Zelenskyt, duke thënë se “Putini nuk dëshiron të takohet me Zelenskyn sepse nuk e pëlqen. Nëse unë do të kisha qenë president, kjo luftë nuk do të kishte ndodhur kurrë.”