Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë pretendimet e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, se nuk kishte komunikuar me të lidhur me trazirat e fundit në Los Angeles. Në një intervistë për Fox News, Trump tha se foli me guvernatorin për rreth 16 minuta të shtunën dhe se ai kishte bërë përpjekje më parë për ta kontaktuar.
“Së pari nuk ma hapi telefonatën, por më pas u përgjigj dhe folëm për rreth 16 minuta,” deklaroi Trump të martën, gjatë një udhëtimi në Fort Bragg, Karolina e Veriut. “I thashë të merrte kontrollin dhe të ndalte trazirat, sepse situata ishte jashtë kontrollit. Dhe pastaj del e thotë që nuk kam telefonuar fare një gënjeshtër e pastër.”
Trump publikoi edhe një pamje të ekranit të telefonatës së kryer më 7 qershor në orën 1:23 të mëngjesit. Sipas Shtëpisë së Bardhë, biseda kishte qëllim të qartë: të nxiste guvernatorin që të vendoste forcat e sigurisë për të përballuar protestat e dhunshme. “Guvernatori ka zgjedhur të mbrojë protestuesit e dhunshëm në vend që të mbrojë kalifornianët,” deklaroi drejtori i komunikimit Steven Cheung.
Nga ana tjetër, Newsom reagoi në rrjetin social X, duke e mohuar se kishte marrë ndonjë telefonatë nga Trump “ditën e kaluar”, siç pretendoi presidenti gjatë një prononcimi nga Zyra Ovale. “Nuk pati asnjë telefonatë. As edhe një mesazh zanor. Amerikanët duhet të alarmohen që një president, që vendos marinsat në rrugët tona, nuk e di me kë ka folur,” shkroi ai.
Zyra e shtypit e guvernatorit sqaroi se Newsom kishte konfirmuar vetëm telefonatën e së shtunës, por jo ndonjë komunikim të mëvonshëm. Zëdhënësja e tij, Izzy Gardon, tha për Sacramento Bee se “nuk ka pasur asnjë thirrje të humbur dhe asnjë mesazh zanor” në telefonin e guvernatorit pas asaj bisede.
Trazirat në Los Angeles nisën të premten, pas operacioneve të zyrtarëve federalë kundër emigrantëve të paligjshëm. Protestat, të nisura si kundërshtim ndaj bastisjeve, u kthyen shpejt në dhunë, me përleshje me policinë dhe zjarr në disa pjesë të qytetit. Guvernatori Newsom dhe kryetarja e bashkisë së Los Angelesit, Karen Bass, dënuan bastisjet dhe u shprehën në mbështetje të komunitetit të emigrantëve.
Për të rikthyer rendin, presidenti Trump njoftoi të shtunën vendosjen e 2,000 trupave të Gardës Kombëtare në qytet dhe më pas shtoi edhe qindra marinsa për të përballuar kaosin. “Nëse nuk do të kisha dërguar trupat në Los Angeles, ai qytet do të ishte djegur deri në themel,” shkroi Trump të martën në Truth Social.
Përplasja e ashpër mes presidentit dhe guvernatorit ka thelluar më tej ndarjet politike në SHBA, në një moment të tensionuar për shkak të protestave dhe ndërhyrjeve federale.
