Siri
Presidenti nuk tërhiqet dhe fton popullin ta ndjekë
Presidenti i Sirisë, Bashar al Assad, bëri të ditur se qeveria e tij ka nevojë për më shumë kohë për të fituar betejën kundër forcave rebele. Në një intervistë për një kanal qeveritar, Presidenti përgënjeshtroi edhe idenë aspak realiste, sipas tij, të krijimit të një zone “amortizuese” humanitare brenda Sirisë. Aktivistët e opozitës deklarojnë se ushtria ka nisur një ofensivë në të gjithë vendin, në përpjekje për të rifituar kontrollin e zonave që mbahen aktualisht nga rebelët.
Janë raportuar të shtëna granatash dhe raketash në qytetet kryesore të vendit. Zyrtarët i bënë të ditur medias shtetërore dje se ushtarët kanë ndërmarrë sulme terroriste ndaj bazave ushtarake ajrore, duke shkaktuar edhe dëme shumë të mëdha në njerëz. Ky lajm vjen ndërsa luftëtarët rebelë pretendojnë se kanë shkatërruar disa helikopterë ushtarakë, duke përdorur dy tanke që ia kanë kapur ushtrisë. Sigurisht që janë shumë të pakta lajmet, pretendimet dhe informacionet e bëra nga të dyja palët, që mund të konfirmohen dhe të cilësohen si të vërteta, për shkak të mungesës së mjeteve të informacionit të paanshëm në pikat më të nxehta të përplasjeve dhe të luftimeve. Aktivistët e opozitës kanë bërë të ditur edhe se të paktën 11 persona janë vrarë në luftime në periferitë në lindje të Damaskut.
Në një pjesë të intervistës së Assad, e cila e plotë do të botohet më vonë, Presidenti i Sirisë thotë se qeveria e tij ishte duke e luftuar betejën si në pikëpamjen rajonale, ashtu edhe në atë ndërkombëtare. “Do të duhet patjetër kohë që ta çosh këtë betejë në fund. Ne po shohim përpara”, ka deklaruar Assad. Sipas tij, forcat e sigurisë po bëjnë një punë heroike për të mos ta lënë vendin në duart e rebelëve. “Të gjithë janë të shqetësuar për vendin e tyre dhe kjo është normale, por rebelët nuk do të jenë në gjendje për të përhapur frikën, kurrsesi. Unë u them sirianëve se fati i tyre është në duart e tyre dhe jo në ato të të tjerëve”. Presidenti foli edhe për ish-zyrtarët e lartë të qeverisë dhe ushtrisë, të cilët kanë dezertuar gjatë këtyre muajve, duke deklaruar se kjo ishte një vetëpastrim i qeverisë dhe më pas edhe vetëpastrim i vendit. Dalja e tij është një kundërpërgjigje ndaj thashethemeve të kohëve të fundit për vendndodhjen e tij dhe u tha se ai është në pallatin presidencial.