Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka mohuar se Teherani synon të pajiset me armë bërthamore, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për dialog dhe ka kritikuar sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara. Deklaratat u bënë gjatë një takimi me kryeministrin e Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, në margjinat e një samiti të Kombeve të Bashkuara për biodiversitetin, të zhvilluar në Jerevan, kryeqytetin e Armenisë.

“Irani nuk kërkon të sigurojë armë bërthamore dhe ne e konsiderojmë propagandën dashakeqe kundër vendit tonë si mashtruese”, deklaroi Pezeshkian.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, ai theksoi se Teherani ka qenë gjithmonë i hapur për negociata, por nuk do të pranojë presionin si mënyrë për të imponuar marrëveshje.

“Ne gjithmonë kemi qenë të hapur për dialog. Ata besojnë se mund të na detyrojnë të kapitullojmë, por ne nuk do t’i nënshtrohemi shtrëngimit”, u shpreh presidenti iranian.

Pezeshkian i cilësoi sanksionet amerikane kundër Iranit si të pajustifikuara dhe çnjerëzore, duke kërkuar një qasje që favorizon dialogun në vend të presionit ekonomik. Gjatë takimit, presidenti iranian bëri gjithashtu thirrje për forcimin e marrëdhënieve mes Teheranit dhe Tbilisit, duke propozuar përcaktimin e një kalendari të qartë për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Nga ana e tij, Kobakhidze shprehu kundërshtimin ndaj ndërhyrjeve të huaja në punët e brendshme të vendeve fqinje, sipas raportimeve mbi takimin. Marrëdhëniet mes Iranit dhe Gjeorgjisë janë zhvilluar në një kontekst të ndërlikuar, pasi autoritetet gjeorgjiane kanë deklaruar se do të respektojnë regjimin e sanksioneve amerikane, ndërsa kryeministri Kobakhidze ka kundërshtuar vendosjen e sanksioneve të veçanta dypalëshe nga Tbilisi kundër Teheranit.