Një grup vajzash adoleshente nga Tyneside, në verilindje të Anglisë, kanë vendosur të flasin publikisht për mizogjininë e ashpër. Ajo thanë se ndeshen çdo ditë me përbuzje dhe se ndihen të padenja dhe të tmerruara nga situata e krijuara herë pas here.
Nxënëset kishin realizuar një film me metrazh të shkurtër ku tregonin gjuhën dhe sjelljen me të cilën përballeshin çdo dite si në shkollë ashtu edhe në mjedisin online. Ato thanë se disa nga komentet që merrnin nuk ishin të hijshme të bëheshin publike. Bëhet fjalë për kërcënime dhune dhe përdhunimi që shpesh thuhen në formën e shakave apo batutave.
Njëra nga vajzat tregoi se sa e tronditur ishte ndjerë kur kishte mësuar se disa djem në shkollën e saj kishin hartuar një “listë” përdhunimi” me emrat e vajzave. Ajo vijoi të tregonte se ata i kishin renditur vajzat sipas preferencave.
“Djemtë i renditën vajzat sipas asaj se kë donin të përdhunonin më shumë dhe kë donin të përdhunonin më pak. Është e frikshme, sepse nuk e di se cilat janë qëllimet e tyre në të vërtetë.“- shpjegoi ajo.
Përballë këtij rrëfimi sa të dhimbshëm dhe të rrezikshëm qeveria britanike vendosi të marrë hapa vendimtarë për uljen e dhunës ndaj grave dhe vajzave, vendime të cilat do të hyjnë në fuqi në muajin shtator. Verilindja e Anglisë njihet si zona me shkallën më të lartë të dhunës ndaj grave dhe vajzave në vend.
Catherine Marchand, drejtore ekzekutive e organizatës Impact Family Services nënvizoi se të rinjtë rrezikojnë ta shohin abuzimin si diçka normale, nëse sjellja e dhunshme seksiste vazhdon të tolerohet në shkolla dhe në rrjetet sociale.
Sipas saj, kjo është veçanërisht shqetësuese, pasi ky fenomen po vërehet në të gjitha shkollat e zonës. Ajo tregoi se sot po shohin vajza 15, 16 e 17 vjeçe që po kuptojnë vetëm tani se janë abuzuar në marrëdhëniet e tyre të para. Këto vajza mendojnë se kështu duhet të jenë marrëdhëniet, sepse e shohin këtë model në internet dhe e dëgjojnë në muzikë. Nëse askush nuk u thotë se kjo sjellje është e gabuar, ato vazhdojnë të besojnë se kështu duhet të sillen partnerët e tyre.
