Një oficer i lartë i ushtrisë ruse është bërë shënjestër e një atentati në qytetin e Engelsit, në rajonin e Saratovit.

Komiteti Hetues i Rusisë ka konfirmuar nisjen e një hetimi për një tentativë vrasjeje ndaj një ushtaraku, por nuk ka bërë publik emrin e tij. Ndërkohë, mediat ruse dhe kanalet në Telegram raportojnë se objektivi i sulmit ka qenë gjenerali Nikolai Varpakhovich, komandant i Divizionit të 22-të të Bombarduesve të Rëndë të Forcave Hapësinore Ruse.

Sipas raportimeve, Varpakhovich është qëlluar disa herë me armë zjarri, por ka arritur t’i mbijetojë atentatit. Ai është transportuar fillimisht në spital dhe më pas, sipas të njëjtave burime, është dërguar në Moskë për trajtim të mëtejshëm.

Emri i gjeneralit rus ishte përmendur më herët në hetimet e autoriteteve ukrainase lidhur me sulmin me raketa ndaj spitalit pediatrik Ohmadiyt në Kiev, në korrik të vitit 2024.

Sulmi ndaj spitalit shkaktoi viktima dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa disa prej ambienteve kryesore të institucionit, përfshirë njësitë e kujdesit intensiv dhe sallat kirurgjikale, u dëmtuan rëndë.

Autoritetet ukrainase pretendojnë se Varpakhovich kishte dhënë urdhrin për lëshimin e një rakete Kh-101 nga njësitë nën komandën e tij.

Pas atentatit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka folur për vazhdimin e operacioneve të Ukrainës në përgjigje të agresionit rus, pa marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin ndaj gjeneralit.

Hetimet në Rusi vijojnë për zbardhjen e autorit, motivit dhe rrethanave të atentatit.