Një atentat është regjistruar në Moskë ndaj një zyrtari të lartë rus të përfshirë drejtpërdrejt në luftën kundër Ukrainës, në një kohë kur po diskutohen mundësitë për një raund të ri negociatash mes Moskës dhe Kievit.
Sulmi ndodhi të shtunën në mëngjes në kryeqytetin rus dhe kishte në shënjestër gjeneralin Vladimir Alekseyev, zëvendëskomandant i GRU-së, shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse.
Sipas mediave vendase, atentati u krye teksa gjenerali ndodhej në apartamentin e tij në një lagje veriore të Moskës. Ai dyshohet se është qëlluar nga një ose më shumë persona me armë zjarri. Alekseyev besohet se ka mbijetuar, por gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë publike. Autoritetet kanë njoftuar se autori i sulmit ka arritur të largohet nga vendngjarja dhe po punohet për kapjen e tij.
Ende nuk dihet nëse atentati është kryer nga një individ i vetëm apo nga një grup i organizuar.
Në Ukrainë, gjenerali Alekseyev shihet si “tradhtar”. Ai është me origjinë nga rajoni i Vinnytsia-s, por më pas ka shërbyer me forcat pro-ruse në territoret e pushtuara.
Në Moskë raportohet se Alekseyev ka qenë një ndër zyrtarët kyç të përfshirë në mbledhjen e informacioneve të inteligjencës që paraprinë pushtimin e Ukrainës në vitin 2022. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në negociatat mes presidentit Vladimir Putin dhe milicisë Wagner të Yevgeny Prigozhin gjatë verës së vitit 2023.
