Një atentat është regjistruar ndaj Vladimir Tkachuk, drejtorit të fabrikës ruse të prodhimit të dronëve ushtarakë Uraldrone, pasi automjeti me të cilin udhëtonte shpërtheu në fshatin Bolshoi Istok, rreth 25 kilometra nga Jekaterinburgu.
Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, shoferi i automjetit humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Tkachuk mbeti i plagosur rëndë. Ai u transportua me urgjencë në spital, ku ndodhet në gjendje kritike në Njësinë e Kujdesit Intensiv.
Sipas informacioneve paraprake të publikuara nga mediat ruse, në automjet dyshohet se ishte vendosur ose ishte aktivizuar një mjet shpërthyes. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar mbi autorët apo motivin e sulmit.
Vladimir Tkachuk drejton fabrikën Uraldrone, një nga ndërmarrjet kryesore të industrisë ruse të mbrojtjes për prodhimin e dronëve ushtarakë. Kompania prodhon dronin taktik Upyr FPV (First Person View), i përdorur nga forcat ruse në luftën në Ukrainë për goditjen e automjeteve të blinduara, pozicioneve të fortifikuara dhe objektivave të tjera ushtarake.
Atentati ndodh në një periudhë kur objektivat e lidhur me industrinë ruse të mbrojtjes janë bërë gjithnjë e më shpesh shënjestër e sulmeve dhe akteve të dyshuara të sabotimit, megjithëse motivi i këtij rasti mbetet ende i paqartë.
