Gazetari i njohur italian Sigfrido Ranucci ka reaguar pasi sipërmarrësi dhe ish-gazetari Valter Lavitola u vendos nën hetim për shpërthimin me bombë që ndodhi më 16 tetor të vitit të kaluar pranë banesës së tij në Campo Ascolano, afër Romës.
Në një intervistë për Corriere della Sera, Ranucci pranoi se lajmi e ka tronditur, duke theksuar se me Lavitolën ka një marrëdhënie miqësore prej vitesh.
“Janë ditë shumë të vështira. Më telefonoi mbrëmjen tjetër, ndërsa karabinierët po kontrollonin banesën e tij. Ishte shumë i shqetësuar dhe edhe unë mbeta i habitur nga ky zhvillim i hetimeve,” tha gazetari.
Ranucci tregoi se miqësia me Lavitolën lindi në vitin 2019, pasi kishte realizuar disa investigime për aktivitetet e tij, dhe se nuk e ka fshehur kurrë këtë raport.
“Unë jam mik i Valterit. Shkoj shpesh të ha në restorantin e tij, të paktën një herë në dy javë. Është një marrëdhënie miqësie që nuk e kam mohuar kurrë,” u shpreh ai.
Duke komentuar sulmin me bombë ndaj shtëpisë së tij, Ranucci tha se nuk beson se Lavitola kishte qëllim ta dëmtonte atë ose familjen e tij.
“Kam besim të plotë te puna e prokurorisë dhe e karabinierëve. Megjithatë, sipas meje, ka diçka që nuk shkon. Për shembull, ai nuk mund ta dinte se në çfarë ore do të kthehesha në shtëpi atë mbrëmje. Kam rilexuar mesazhet tona dhe mendoj se ka ende shumë gjëra që duhen sqaruar,” deklaroi gazetari.
I pyetur për motivin e mundshëm të sulmit, nëse përfshirja e Lavitolës konfirmohet, Ranucci dha një hipotezë personale.
“Mendoj se mes nesh ka pasur një miqësi të sinqertë. Prandaj imagjinoj, por është vetëm një hipotezë ime, se atentati nuk ishte drejtuar ndaj meje, por ndoshta ndaj dikujt tjetër, për të mos më lejuar të merrja ndonjë informacion. Për këtë arsye besoj se ai nuk do të kishte dashur kurrë të më bënte keq,” tha ai.
Gazetari hodhi poshtë edhe zërat se sulmi mund t’i ketë shërbyer për të fituar më shumë vëmendje publike.
“Kjo është absurde. Përkundrazi, do të doja të kisha më pak vëmendje. Ideja se bomba ishte një favor për mua ose se kërkoja solidaritet është krejtësisht pa kuptim,” u shpreh Ranucci.
Ai konfirmoi se Lavitola kishte kontakte me figura të rëndësishme të politikës italiane dhe se kishte tentuar ta ndihmonte për të realizuar një intervistë me Marcello Dell’Utri.
Në fund, Ranucci tha se hetimet duhet të zbardhin ende disa elemente të rëndësishme të çështjes, duke përmendur një pjesë të dosjes ku një nga të arrestuarit flet për një person të identifikuar vetëm si “Corrado”, identiteti dhe roli i të cilit, sipas gazetarit, mbeten ende të paqartë.
Top Channel
