Pavarësisht përpjekjeve për një qeveri Pasok-Demokracia e Re
Qeveria gjermane reagoi e lehtësuar për rezultatin e zgjedhjeve në Greqi. Por ajo këmbëngul në respektimin e kushteve të kredive. Athina dëshiron që kushtet të diskutohen edhe një herë. Pas suksesit në zgjedhje të konservatorëve, Angela Merkel mori në telefon shefin e tyre Antonis Samaras për ta uruar. Me këtë rast, thuhet në zyrën e kancelares, ajo ka shprehur shpresat se Greqia do t’i përmbahet detyrimeve europiane. Urimet e vërteta tingëllojnë ndryshe. Dhe ato as nuk janë të tilla. Fitorja e Antonis Samarasit nuk ka për Berlinin arsye për t’u gëzuar, por është e keqja më e vogël. Angela Merkel ka përsëritur shpesh moton e saj, se politika europiane është politikë e brendshme. Megjithatë është hera e parë, ku ajo përpiqet shumë që të ndikojë vendimin që merret në zgjedhje në një vend anëtar të BE-së. “Zgjedhje vendimtare për qëndrimin e Greqisë në zonën e Euros” ose “orë vendimtare për euron”, me këto karakterizime politikanët qeveritarë në Berlin donin të ndikonin mbi grekët në kuadër të zgjedhjeve. Mesazhi ishte i qartë: Fitorja e aleancës së majtë Syriza do ta nxjerrë Greqinë nga Zona e Euros. Për të vënë theksin mbi seriozitetin e gjendjes, kancelarja gjermane e shtyu në ditën e zgjedhjeve greke për në mesnatë udhëtimin e saj për në Meksiko.
Dhe presioni nga jashtë nuk mbeti pa efekte në Greqi: Konservatorët e Nea Dimokratia-s arritën me gati 30 për qind më shumë vota se Syriza, kësisoj Partia Konservatore do të arrijë së bashku me PASOK-un socialist që të krijojë një qeveri. Në deklaratën e tij të parë të bërë në greqisht dhe anglisht, Antonis Samaras tha se vendi i tij do t’i përmbushë të gjitha detyrimet dhe se nuk “do të ketë më aventura”. Kjo i shihet Samarasit direkt e lidhur me Berlinin. Ajo që nuk harrohet është qëndrimi refuzues i Samarasit kundrejt masave reformuese dhe kursimeve, të lidhura me paketën e kredive. Merkel “i është lutur”, thuhet në bisedimet në prapaskenë, që të aprovojë paktet e lidhura me qeverinë e PASOK-ut. Më kot. Vetëm kur Greqia u ndodh vërtet në buzë të greminës dhe Samarasi pati frikë se kjo do të kthehej në akuzë kundër tij, dha aprovimin. I nxitur nga ambicia që të bëhet kryeministër, ai i dha shtysë fundit të shpejtë të qeverisë së përkohshme të Lukas Papademosit, e cila gëzoi emër të mirë te partnerët europianë.
Kryeministri Samaras duhet të bëhet mjeshtër i ruajtjes së ekuilibrit midis shpresave greke dhe atyre europiane. Në fushatën elektorale ai u premtoi zgjedhësve grekë se mund të përfaqësojë më mirë interesat e tyre në Bruksel, duke folur për bisedime të reja për kushtet e kredive. Nëse do ta mbajë këtë premtim, duke qenë kryeministër, pritet të shihet. Sidoqoftë ai i ka zgjuar shpresat te popullsia greke për më pak ngarkesë, më shumë zhvillim dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Pikërisht këtu është thembra e Akilit të një qeverie të Samarasit. Në bazë të ligjit grek të zgjedhjeve, qeveria do të ketë shumicën parlamentare, por jo pjesën më të madhe të shoqërisë. Kështu që pritet që Syriza të përpiqet të mobilizojë rritjen e pakënaqësisë kundër vendimeve për kursime. Nëse Samaras do të mbajë qëndrim të kundërt, atëherë duhet të arrijë të marrë lëshime nga kredidhënësit. Mënyra se si Samarasi i ka ndjekur deri tani interesat e veta, shihet me shqetësim nga Berlini. Faktin, që me Samarasin nuk janë arritur shumë gjëra në të kaluarën, një anëtar i qeverisë gjermane e komenton: “Me të është sikur të kapësh demin prej brirësh”. Në të ardhmen duhet të jetë ndryshe. Që para zgjedhjeve greke, kancelarja gjermane ka thënë se çështja nëse Greqia do t’i respektojë marrëveshjet është një çështje që ka të bëjë edhe me atë së çfarë mund të ruhet ende nga Europa. Me fjalë të tjera, Greqia është kthyer në paradigmë, sipas së cilës veprohet për të vendosur rregullat. Pra nëse me Athinën do të duhet të zhvillohen bisedime të reja, atëherë thonë gjermanët, do të duhet të mos refuzohen bisedime të tjera me Portugalinë dhe Irlandën.
Njëkohësisht, nëse Greqia nuk respekton marrëveshjet, atëherë gatishmëria e popullsisë gjermane për paketën e ndihmës disamiliardëshe ndaj vendeve të euros do të bjerë. Qeveria gjermane ndodhet kështu nën presion të madh brenda vendit. Prandaj qeveria gjermane nuk do që të ketë me Athinën bisedime të tjera për kushtet e kredive. Vetëm nëse Athina pranon, thuhet në Berlin, atëherë mund të flitet për aspekte të veçanta të paketës së kursimeve, si për shembull për zgjatjen e afatit të zbatimit.