Një video që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale ka tronditur ndjekësit, duke treguar momentin ekstrem kur një aventurier holandez zhytet në ujërat e ngrira të Siberisë, në një temperaturë prej -52 gradë Celsius.

Ngjarja ka ndodhur në Jakutsk, qytet i njohur si një nga vendet më të ftohta në botë. Në pamje shihet i riu, i veshur vetëm me rroba banje, teksa futet në një vrimë të hapur në akull, mes kushteve ekstreme që vështirë se përballohen nga trupi i njeriut.

Menjëherë pas daljes nga uji, situata bëhet dramatike. Brenda pak sekondash, trupi i tij fillon të zbardhet, ndërsa uji mbi lëkurë ngrin pothuajse menjëherë. Mes dridhjeve dhe adrenalinës, ai dëgjohet duke kërkuar ndihmën e miqve, të cilët nxitojnë t’i hedhin një pallto dhe ta ndihmojnë të veshë shapkat, pasi lëvizjet e tij fillojnë të ngurtësohen nga i ftohti ekstrem.

“Qerpikët, flokët, gjithçka ngriu brenda sekondave,” dëgjohet të thotë ai në video, ndërsa termometri i shfaqur në pamje konfirmon temperaturën ekstreme prej -52°C.

Ekspertët paralajmërojnë se veprime të tilla janë tejet të rrezikshme, pasi mund të shkaktojnë hipotermi të menjëhershme apo dëmtime të përhershme të indeve nga ngrirja. Megjithatë, për aventurierin holandez, kjo sfidë mbetet një nga përvojat më ekstreme të jetës së tij.