Me kërkesë të Estonisë, NATO ka vendosur të thërrasë një takim urgjent në Bruksel të martën për të shqyrtuar shkeljen e hapësirës ajrore të saj nga avionët luftarakë rusë.

Sipas një zyrtari të Aleancës, përfaqësuesit e 32 vendeve anëtare do të mblidhen në mëngjes në kuadër të Nenit 4 të traktatit të NATO-s, i cili parashikon konsultime mes aleatëve sa herë që një anëtar ndjen se po përballet me një kërcënim.

Ngjarja lidhet me incidentin e së premtes, kur tre avionë rusë hynë në hapësirën ajrore të Estonisë dhe qëndruan për 12 minuta, duke shkaktuar reagime të ashpra nga NATO dhe BE, të cilat e cilësuan këtë si një “provokim” të Moskës. Nga ana e saj, Rusia ka mohuar çdo shkelje.

Paralelisht, edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të zhvillojë një mbledhje të hënën, pas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Estonisë, e cila e konsideroi këtë akt si një shkelje flagrante të sovranitetit të saj.

Ky tension shtohet mbi një situatë tashmë të brishtë, pasi më herët Polonia kishte raportuar se dronë rusë kishin hyrë disa herë në hapësirën e saj ajrore gjatë sulmeve kundër Ukrainës.