Polonia ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë shkeljet e hapësirës së saj ajrore dhe është e gatshme të rrëzojë çdo objekt që paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare. Këtë e deklaroi kryeministri polak Donald Tusk gjatë një konference për shtyp të premten, duke theksuar megjithatë se vendi do të jetë më i kujdesshëm në rastet ku incidentet nuk janë të qarta.
Deklarata vjen pas një sërë incidentesh në rajonin e Evropës Lindore, ku Estonia raportoi se tre avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën e saj ajrore, duke rritur tensionet dhe shqetësimet në radhët e NATO-s. Moska e ka mohuar këto pretendime dhe i ka quajtur ato si përpjekje për përshkallëzim të situatës.
Polonia gjithashtu raportoi se në natën e 10-11 shtatorit, 20 dronë rusë hynë në hapësirën e saj ajrore, ndërsa të premten u raportua edhe për shkeljen e zonës së sigurisë së platformës së naftës Petrobaltic në Detin Baltik nga dy avionë rusë.
“Ne nuk kemi asnjë dyshim që do të marrim vendimin për të rrëzuar çdo objekt fluturues që shkel hapësirën tonë ajrore dhe kërcënon sigurinë e vendit”, paralajmëroi Donald Tusk. Por ai shtoi se në rastet ku nuk ka shkelje territoriale të qarta, siç ishte rasti me platformën Petrobaltic, duhet të veprohet me kujdes për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë që Polonia të sigurohet se nuk do të mbetet vetëm në rast të përshkallëzimit të situatës, duke kërkuar mbështetjen e plotë të aleatëve të NATO-s në një reagim të përbashkët.
“Kjo është një çështje jetike, dhe duhet të jem absolutisht i sigurt që aleatët do ta trajtojnë këtë situatë në mënyrën që e trajtojmë edhe ne”, përfundoi Tusk.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet për të diskutuar këto tensione të fundit në rajon.