Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj kritikave të shumta që kanë shpërthyer pas lajmit se ai ka pranuar një avion superluksoz prej 400 milionë dollarësh të ofruar nga familja mbretërore e Katarit. Avioni Boeing 747-8 i modifikuar si një” pallat fluturues” është konsideruar një nga dhuratat më të shtrenjta dhe luksoze të propozuara ndonjëherë nga një qeveri e huaj.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump mbrojti pranimin e dhuratës duke e cilësuar si një marrëveshje transparente dhe të dobishme për Departamentin e Mbrojtjes, që sipas tij do të përdorë përkohësisht avionin për të zëvendësuar Air Force One-in aktual 40-vjeçar.
Sipas planeve, avioni do të kalojë më vonë në pronësi të fondacionit të bibliotekës presidenciale të Trump pas largimit të tij nga skena politike.
“Kjo është një DHURATË, FALAS, për të cilën demokratët e korruptuar po bëjnë zhurmë sepse nuk kontrollojnë dot situatën. Ata duan që të shpenzojmë shifra marramendëse për avionë të rinj”, shkroi Trump.
Por kritikat nuk kanë ardhur vetëm nga demokratët. Edhe disa nga përkrahësit më besnikë të lëvizjes MAGA kanë kundërshtuar dhuratën, duke ngritur shqetësime të sigurisë dhe etike.
Ndikuesja konservatore Laura Loomer, e njohur për mbështetjen e saj ndaj Trump, e quajti ofertën të papranueshme, duke thënë se nuk mund të pranohet një “dhuratë” nga një vend që, sipas saj, ka lidhje me grupime të lidhura me terrorizmin si Hamas dhe Hezbollah.Kritikat kanë thelluar debatin në politikën amerikane, ku edhe aleatët e Trump po e vënë në pikëpyetje moralitetin dhe sigurinë e pranimit të një dhurate të tillë nga një shtet i huaj. Situata pritet të përshkallëzohet më tej në ditët në vijim, me presion të shtuar ndaj Trump për të sqaruar marrëveshjen dhe qëllimet e saj.