Një avion mallrash i kompanisë Amazon Air është rrëzuar gjatë tentativës për t’u ulur në Aeroportin Ndërkombëtar të Majemit, duke shkaktuar vdekjen e pesë personave dhe plagosjen e 5 të tjerëve.

Avioni i tipit Boeing 767-300 u përplas pak para orës 14:00 sipas orës lokale, pasi ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar “Luis Muñoz Marín” në San Juan të Porto Rikos. Gjatë daljes nga pista, avioni goditi edhe disa automjete në tokë.

Administrata Federale e Aviacionit urdhëroi pezullimin e të gjitha fluturimeve, ndërsa mbi 200 zjarrfikës ndërhynë në vendngjarje për të shuar flakët e mëdha dhe për të menaxhuar rrjedhjen e karburantit.

Sipas Shefit të Zjarrfikësve të Miamit, Raied Jadallah, tre nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike. Disa prej tyre mbetën të bllokuar brenda ose nën automjete dhe u desh ndërhyrja e ekipeve të emergjencës për t’i nxjerrë.

Përfaqësuesja e Amazon, Kelly Nantel, shprehu ngushëllimet për viktimat dhe konfirmoi se kompania po bashkëpunon ngushtë me autoritetet lokale për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Shkaqet e aksidentit mbeten ende të panjohura. Bordi Kombëtar i Sigurisë në Transport ka marrë në dorëzim hetimin e plotë të ngjarjes.

Tragjedia ndodhi gjatë fundjavës së Ditës së Punës (Labor Day), një nga periudhat me fluksin më të madh të udhëtimeve në SHBA. Përplasja shkaktoi vonesa të shumta, anulime fluturimesh dhe radhë të gjata të pasagjerëve në Aeroportin e Majemit.