Një avion pasagjerësh ishte vetëm gjashtë minuta larg mbarimit të karburantit përpara se të bënte një ulje emergjente në Mançester. Incidenti ndodhi kur fluturimi nga Italia drejt aeroportit Prestwick të Glasgout lëshoi një sinjal emergjence për mungesë kritike të karburantit.
Avioni u detyrua të devijonte drejt Mançesterit për një ulje emergjente, ndërsa stuhia e fuqishme “Amy” godiste Britaninë me erëra të forta.
Fluturimi FR1194, i operuar nga kompania partnere Malta Air, u përball me disa tentativa të pasuksesshme për ulje, fillimisht në Prestwick dhe më pas në aeroportin e Edinburgut përpara se të ulej në mënyrë të sigurt në Manchester, pothuajse dy orë pas përpjekjes së parë për ulje.
Sipas raportimeve, avioni kishte mbetur me vetëm 220 litra karburant në rezervuar në momentin e uljes, një sasi që mjafton vetëm për 5 deri në 6 minuta të tjera fluturim. Kjo e çon avionin shumë pranë shifrës së “rezervës minimale të detyrueshme” për fluturim të sigurt, që për një Boeing 737-800 duhet të jetë të paktën 30 minuta karburant rezervë në çdo rast.
Një prej pasagjerëve në bord, tregoi përjetimet e tij gjatë fluturimit dramatik.
Avioni bëri disa rrotullime para tentativës së parë për ulje, por u ngrit menjëherë. Herën e dytë ishim shumë pranë tokës, por u ngritëm me forcë sërish. Më pas na u komunikua se do të devijonim për në Mançester.
Ai shtoi se vetëm pasi panë lajmet, udhëtarët e kuptuan se sa pranë kishin qenë një katastrofe të mundshme.
Kur zbuluam se kishim mbetur me vetëm pak minuta karburant, njerëzit ishin të tronditur. Të gjithë donin vetëm të zbrisnin dhe askush nuk kishte më dëshirë të ngjitej në një avion tjetër për një kohë të gjatë.
Ryanair ka konfirmuar incidentin dhe ka bërë të ditur se është duke bashkëpunuar plotësisht me autoritetet përkatëse që kanë nisur një hetim zyrtar. Çështja është subjekt i një hetimi të vazhdueshëm.