Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Britaninë e Madhe, ku një 13-vjeçar ka pësuar djegie të rënda në fytyrë, qafë dhe duar pasi ndezi aksidentalisht një kanaçe aerosoli brenda dhomës së tij. I mituri, Joe Mitchell, u përfshi nga flakët për rreth 10 sekonda, ndërsa rrobat iu dogjën dhe zjarri u përhap deri në kokë dhe muret e shtëpisë.
Sipas familjes, ngjarja ndodhi kur adoleshenti përdori një sprej ajri për të pastruar konsolën e lojërave dhe duke menduar se ishte bosh dhe i ngrirë, u përpoq ta ngrohte me një çakmak. Lënda e ndezshme e aerosolit ishte ngjitur në bluzën e tij, duke shkaktuar shpërthimin e flakëve sapo u afrua zjarri.
Babai i djalit reagoi menjëherë, i hoqi rrobat që digjeshin dhe e futi në një dush me ujë shumë të ftohtë, veprim që sipas mjekëve i shpëtoi jetën dhe shmangu djegie më të thella. I mituri u transportua me urgjencë në spital dhe u shtrua në repartin e djegieve, ku iu hoqën shtresat e lëkurës së dëmtuar.
Mjekët konfirmuan se djali kishte pësuar rreth 4% djegie në fytyrë, qafë dhe duar, por fatmirësisht dëmtimet ishin sipërfaqësore dhe ai u lejua të kthehej në shtëpi pas katër ditësh. Sipas tyre, pa ndërhyrjen e menjëhershme me ujë të ftohtë, pasojat do të kishin qenë shumë më të rënda dhe potencialisht fatale.



