Ambasadori i SHBA-së


MaqedoniAmbasadori i SHBA-së, Jess Bailey, ka vazhduar me kritikat ndaj politikanëve maqedonas, të cilët vendosin interesat personale mbi ato të shtetit. Ai thekson se marrëveshja e Përzhinos është rruga e vetme për dalje nga kriza politike në Maqedoni dhe anëtarësim të vendit në BE dhe Nato, thotë ambasadori amerikan në Shkup, Jess Bailey. Ai ripërsëriti qëndrimin e Departamentit të Shtetit se kjo marrëveshje ende është e gjallë dhe si e tillë do të ngelë, në të mirë të Maqedonisë. Sipas Bailey-t, është më se e qartë se në Maqedoni marrëveshjet politike realizohen me vështirësi të madhe, e kjo po ndodh edhe me Marrëveshjen e Përzhinos. “Ne jemi njoftuar se në Maqedoni marrëveshjet politike vihen në zbatim shumë rrallë. Kjo po ndodh edhe me Marrëveshjen e Përzhinos. Prandaj, edhe nisur nga fakti se kjo marrëveshje po implementohet shumë ngadalë, ajo si e tillë po ia arrin qëllimin. Sepse ne tashmë kemi nga kjo marrëveshje Prokurorinë Speciale Publike, filloi procesi i pastrimit të listave zgjedhore, si dhe kyçja e opozitës në Maqedoni si pjesë e qeverisë”, tha Baley. Sipas ambasadorit amerikan në Shkup kur akordi të zbatohet, Maqedonia do shkojë drejt integrimit në BE dhe NATO.